Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti për MICS 2025: Të dhënat tregojnë përparim, por ende ka dallime që duhet t’i zvogëlojmë

Gazeta10
15 September 2026 - 11:54

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vlerësuar rezultatet e Anketës së Treguesve të Shumëfishtë (MICS) 2025, duke theksuar se të dhënat e reja ofrojnë një pasqyrë më të qartë mbi mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve në Kosovë, si dhe mbi fushat ku institucionet duhet të ndërhyjnë më tej.

Kurti tha se politikat publike duhet të ndërtohen mbi të dhëna të besueshme, në mënyrë që të matet ndikimi real i programeve dhe investimeve dhe të identifikohen grupet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.

“Sot po marrim një pamje shumë më të qartë të Kosovës mbi atë se si po rriten fëmijët, çfarë mundësish kanë, ku kemi bërë përparim dhe ku vazhdojnë të ekzistojnë dallime të cilat nuk duhet t’i pranojmë si të pashmangshme. Politikat e mira fillojnë me njohjen e saktë të realitetit, sepse mund të kemi qëllime të mira, mund të kemi programe dhe investime, por pa të dhëna të besueshme nuk mund ta dimë me siguri nëse ato po arrijnë te njerëzit që kanë më së shumti nevojë. E pikërisht këtu konsiston rëndësia dhe vlera e kësaj ankete”, tha Kurti.

Ai theksoi se Kosova tashmë ka tri pika krahasimi, vitet 2014, 2020 dhe 2025, çka, sipas tij, mundëson që përveç gjendjes aktuale të shihet edhe drejtimi në të cilin po zhvillohet shoqëria.

“Kosova tashmë ka tri pika krahasimi: vitin 2014, vitin 2020 dhe vitin 2025. Për herë të parë mund ta shohim jo vetëm fotografinë e një çasti, por edhe drejtimin në të cilin po lëviz shoqëria jonë. Të dhënat që prezantohen sot na bëjnë të jemi optimistë të arsyeshëm”, u shpreh ai.

Sipas kryeministrit, në disa prej treguesve kryesorë që lidhen me shëndetin, zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve është shënuar përparim i rëndësishëm.

“Kujdesi shëndetësor për nënat gjatë shtatzënisë është pothuajse universal. Përfshirja e fëmijëve në edukimin në fëmijërinë e hershme është më shumë se e dyfishuar. Gatishmëria e fëmijëve për fillimin e shkollës ka arritur në nivelin prej 91%”, tha Kurti.

Ai i cilësoi këto rezultate si domethënëse, duke theksuar se progresi, sipas tij, dëshmon se investimet, politikat publike dhe puna e institucioneve kanë dhënë rezultate.

“Këto janë rezultate domethënëse. Ky progres tregon se investimet, politikat publike dhe puna e institucioneve po japin rezultate”, tha ai.

Megjithatë, Kurti nënvizoi se të dhënat e MICS tregojnë edhe për dallimet që vazhdojnë të ekzistojnë dhe për nevojën që progresi të shtrihet në mënyrë të barabartë te të gjithë fëmijët dhe familjet.

“Por të dhënat na tregojnë njëkohësisht se puna jonë asesi nuk përfundon këtu. Ende ka dallime që duhet t’i zvogëlojmë dhe fusha në të cilat mundemi dhe duhet të ecim më shpejt. Synimi ynë duhet të jetë që përparimi që po shohim sot të shtrihet te secili fëmijë, te secila familje dhe në çdo pjesë të vendit tonë”, tha ai.

Kryeministri tha se mirëqenia e fëmijëve dhe familjeve është vendosur në qendër të politikave publike të Qeverisë, duke përmendur masat mbështetëse për familjet, investimet në edukimin e hershëm dhe politikat për të rinjtë.

“Detyra që kemi përpara është që progresi të jetë gjithnjë më i madh dhe të arrijë te të gjithë. Prandaj, si qeveri, mirëqenien e fëmijëve dhe të familjeve e kemi vendosur në qendër të politikave tona publike: Kemi vendosur shtesat për fëmijët dhe mbështetjen për nënat leona. Kemi rritur dhe zgjeruar këtë mbështetje ndër vite. Kemi investuar në edukimin në fëmijërinë e hershme. Kemi mbështetur programe për zhvillimin dhe ndërhyrjen e hershme. Kemi krijuar më shumë mundësi për të rinjtë përmes politikave të punësimit dhe të aftësimit.”

Kurti tha se rezultatet e MICS 2025 mund të shërbejnë edhe për vlerësimin më të saktë të politikave të ndërmarra deri më tani, duke ofruar të dhëna mbi efektet e tyre.

“Të dhënat e MICS na japin mundësinë t’i vlerësojmë këto politika më mirë, me të dhëna që na tregojnë se çfarë ka funksionuar. Ato na tregojnë edhe diçka tjetër me rëndësi: investimi social është investim në kapitalin njerëzor të Kosovës”, shtoi ai.

Sipas Kurtit, investimet në fëmijë, familje, arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale kanë ndikim jo vetëm në mirëqenien e menjëhershme, por edhe në zhvillimin afatgjatë të shoqërisë dhe ekonomisë.

“Kur investojmë në fëmijët, në familjen, në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale, ne adresojmë nevojat e sotme dhe njëkohësisht krijojmë mundësi për një shoqëri më të shëndetshme, më të arsimuar dhe më aktive ekonomikisht”, deklaroi Kurti.

Në veçanti, kryeministri foli për rëndësinë e të dhënave që lidhen me komunitetet joshumicë, duke theksuar se rezultatet e veçanta për këto komunitete mundësojnë identifikimin më të qartë të dallimeve dhe nevojave.

“Kjo është edhe më e vlefshme kur flasim për komunitetet joshumicë (rom, ashkali dhe egjiptian). Të dhënat e veçanta për këto komunitete na mundësojnë të shohim më qartë dallimet dhe nevojat konkrete, si dhe të ndërtojmë politika që i përgjigjen realisht dhe me faktet e mbledhura”.

Në fund, Kurti theksoi se mbrojtja sociale dhe punësimi duhet të trajtohen në mënyrë të ndërlidhur, me synim krijimin e mundësive më të mëdha dhe uljen e varfërisë ndër breza.

“Këtu qëndron edhe një nga mësimet kryesore të MICS: mbrojtja sociale dhe punësimi nuk duhet të shihen si politika të ndara. Mbështetja sociale duhet të shkojë krah për krah me arsimin, aftësimin, shërbimet e punësimit dhe përfshirjen ekonomike, në mënyrë që të krijojmë sa më shumë mundësi, të ulim varfërinë dhe të parandalojmë që ajo të kalojë, përkatësisht të bartet, nga një gjeneratë te tjetra”, tha ndër të tjera kryeministri Kurti.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
15 September 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.