
Platforma “Liria ka Emër” ka publikuar një reagim në prag të verdiktit në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Në reagim thuhet se më 16 shtator 1998, në Parlamentin Evropian, zyrtarë evropianë kishin folur për situatën në Kosovë, për represionin e regjimit të Millosheviqit, spastrimin etnik, për popullin shqiptar nën sulm dhe për UÇK-në si palë në një luftë përballë forcave të rregullta jugosllave.
“Liria ka Emër” thekson se këto qëndrime nuk janë interpretime të sotme, por fjalë të zyrtarëve evropianë të thëna në atë kohë.
“Mos i ndryshoni qëndrimet. Mos i ndryshoni faktet. Mos e rishkruani historinë e lirisë së Kosovës”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, ajo që ishte e vërtetë në vitin 1998 nuk mund të bëhet e pavërtetë në vitin 2026.
“Kosova po pret. Drejtësia po pret. Historia nuk rishkruhet. Liri!”, përfundon reagimi.