
Eman Rrahmani, i ftuar në emisionin “Gazeta” në Kanal10, ka folur për respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga institucionet e Kosovës.
Rrahmani tha se duhet të merret parasysh fakti se në të kaluarën ka pasur raste kur vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar. Sipas tij, kjo ngre dyshime nëse edhe pushteti aktual do t’i zbatojë vendimet e ardhshme të kësaj gjykate, veçanërisht ato që lidhen me organizimin dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ai përmendi dy raste në të cilat, sipas tij, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë respektuar nga pushteti aktual.
“Njëra është çështja e 24 hektarëve për Manastirin e Deçanit. Qeveritë e mëparshme dhe kryeministrat kanë hezituar ose kanë refuzuar ta zbatojnë atë vendim, duke e konsideruar të dëmshëm dhe të padrejtë për Kosovën. Albin Kurti është i vetmi kryeministër që e ka zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Rrahmani.
Si rast të dytë, Rrahmani përmendi vendimin për zgjedhjen e Slavko Simiqit si nënkryetar i Kuvendit në mandatin e kaluar.
Ai tha se edhe në rastin e zgjedhjes së nënkryetares së Kuvendit, Vlora Çitaku kishte refuzuar ta mbështeste kandidatin e propozuar, ndërsa, sipas tij, ishte mbështetur sërish një kandidat nga Lista Serbe, i cili më pas ishte zgjedhur në këtë pozitë.
Rrahmani vlerësoi se këto dy raste janë zbatuar, por sipas tij, më shumë në interes të palëve të tjera sesa në interes të Republikës së Kosovës.
“Kështu që, unë personalisht nuk pres që ky pushtet ta respektojë çfarëdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese që mund të vijë”, përfundoi Rrahmani.