Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Mbrëmë para EULEX-it: Zjarr i vogël dhe tensione, protestuesit hodhën gurë e mjete piroteknike

Gazeta10
17 September 2026 - 9:14

Qytetarët që mbrëmë ishin mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, më pas janë zhvendosur drejt objektit të EULEX-it, ku situata është tensionuar.

Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 22:30 protestuesit kanë arritur pranë hyrjes së objektit, kanë bllokuar rrugën dhe kanë hedhur gjësende të ndryshme, mjete të forta dhe mjete piroteknike.

Policia ka bërë të ditur se, si pasojë e mjeteve piroteknike, një pjesë e objektit është kapluar nga një zjarr i vogël, i cili është shuar menjëherë.

Zyrtarët policorë, sipas njoftimit, kanë komunikuar vazhdimisht me protestuesit dhe u kanë bërë thirrje që protestën ta zhvillojnë në mënyrë të qetë, duke shmangur hedhjen e mjeteve të rrezikshme drejt objekteve shtetërore.

Protesta ka përfunduar pas mesnatës, rreth orës 00:20.

Policia e Kosovës ka vlerësuar se ka menaxhuar në mënyrë profesionale mbarëvajtjen e tubimeve, duke theksuar se ato kanë përfunduar pa incidente madhore dhe pa të lënduar në mesin e protestuesve apo zyrtarëve policorë.

Ndërkohë, gjatë protestës, Nasim Haradinaj ka paralajmëruar se tubimet do të vazhdojnë edhe sot para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Duke folur mbrëmë para protestuesve, Haradinaj ka thënë se nuk do të ndalen derisa Kuvendi i Kosovës të thërrasë një seancë për të diskutuar dhe për t’u dalë në mbrojtje ish-krerëve të UÇK-së.

“Ne nuk do të ndalemi derisa Kuvendi ta thërrasë një seancë për t’u dalë në mbrojtje ish-krerëve të UÇK-së”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka bërë thirrje për vazhdimin e protestave, duke paralajmëruar se protestuesit do të jenë sërish sot para Qeverisë.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.