Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

GLPS bën thirrje për unitet: Të gjithë të bashkohemi për ta mbrojtur dinjitetin e UÇK-së dhe Kosovës

Gazeta10
17 September 2026 - 12:10

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar pas aktgjykimit dënues ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, duke shprehur zhgënjim të thellë për vendimin e Gjykatës Speciale.

GLPS e ka cilësuar këtë si një moment të ndjeshëm për shoqërinë kosovare, duke theksuar se aktgjykimi prek kujtesën kolektive dhe mënyrën se si perceptohet lufta e Kosovës.

Organizata ka kërkuar që përfundimet e shkallës së parë të shqyrtohen me paanshmëri dhe rigorozitet nga Dhoma e Apelit. Sipas GLPS-së, pozita politike apo ushtarake e një personi nuk mund të përcaktojë automatikisht fajësinë e tij, ndërsa përgjegjësia duhet të dëshmohet përmes provave bindëse dhe një procesi të drejtë.

GLPS ka ngritur shqetësime edhe për kohëzgjatjen e procesit gjyqësor, trajtimin e provave dhe respektimin e të drejtave të njeriut, duke kërkuar që këto çështje të shqyrtohen gjatë procedurës së ankimimit.

Në reagim, organizata ka kërkuar që aktgjykimi të shihet edhe në kontekstin e plotë të luftës në Kosovë dhe ka theksuar nevojën për shmangien e standardeve të dyfishta në drejtësinë ndërkombëtare.

Në fund, GLPS ka bërë thirrje për qetësi, unitet institucional dhe shoqëror, duke kërkuar mbështetje për një proces të rregullt, profesional dhe të drejtë në fazën e apelit.

“Ky moment nuk kërkon përçarje, por qetësi dhe bashkim rreth parimeve të drejtësisë, të së vërtetës, rezistencës dhe luftës së drejtë të UÇK-së dhe mbrojtjes së dinjitetit të Kosovës”, thuhet në reagimin e GLPS-së.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.