Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Çitaku pas vendimit të Hagës: Nuk kemi luksin të presim, duhet të reagojmë shpejt

Gazeta10
17 September 2026 - 10:37

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar sërish pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Çitaku ka thënë se nuk duhet pritur që koha t’i rregullojë gjërat vetë, duke bërë thirrje për reagim institucional.

“Historia nuk mbrohet vetëm duke thënë se nuk mund të ndryshohet. Historia mbrohet duke vepruar kur dikush përpiqet ta rishkruajë”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka kundërshtuar edhe konstatimin e gjykatës lidhur me UÇK-në, duke thënë se verdikti, sipas saj, është ndërtuar mbi një narrativë kolektive.

“UÇK-ja u shpall ndërmarrje e përbashkët kriminale, në emër të popullit”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si, sipas saj, është trajtuar puna e mbrojtjes dhe dëshmitë e dëshmitarëve si Wesley Clark e James Rubin.

“Prandaj tani nuk kemi luksin të rrimë e të presim që koha t’i rregullojë gjërat vetë. Është detyra jonë, si shtet dhe si institucione, të reagojmë shpejt, seriozisht dhe institucionalisht”, ka deklaruar ajo.

Në reagimin e saj, Çitaku e ka cilësuar vendimin si “drakonik” dhe ka përfunduar me thirrjen:

“Nuk ka kohë për dorëzim.”

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
17 September 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.