Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rënia e rrjedhës së Ibrit në Mitrovicë, Institucionet zbulojnë arsyen e rënies së nivelit të ujit

Gazeta10
20 September 2026 - 13:35

Niveli i ujit në lumin Ibër ka rënë në pjesën që kalon nëpër Mitrovicën e Jugut, ndërsa kjo gjendje ka ngritur shqetësime lidhur me shkaqet dhe ndikimin e mundshëm në mjedis. Institucionet thonë se ndryshimi i nivelit nuk lidhet me shterjen e lumit, por me punimet që po zhvillohen për ndërtimin e urës dhe skarpateve të lumit.

Drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në Komunën e Mitrovicës së Jugut, Naser Muja, ka thënë për KosovaPress se Komuna është e informuar për rënien e nivelit të ujit në këtë pjesë të Ibrit.

Sipas tij, Ministria e Infrastrukturës është duke realizuar punime për ndërtimin e urës, si dhe për ndërtimin e skarpateve të lumit, ndërsa për nevojat e këtyre punimeve rrjedha e Ibrit është devijuar përkohësisht.
“Për nevojat e realizimit të këtyre punimeve, rrjedha e lumit është devijuar përkohësisht në afërsi të skarpateve”, ka thënë Muja në një deklaratë me shkrim.

Aj ka deklaruar se, sipas informacioneve që ka Komuna, ndryshimi i nivelit të ujit në këtë pjesë nuk është rezultat i shterjes së lumit, por lidhet me punimet dhe devijimin e përkohshëm të rrjedhës.

Komuna ka bërë të ditur se po e përcjell situatën dhe, sipas nevojës, është në koordinim me institucionet përgjegjëse.
Ndërkohë, drejtori i Departamentit të Ujit dhe Gjenerimit në NH “Ibër-Lepenc”, Ernest Kerqeli, ka thënë se niveli i ujit në lumin Ibër ka qenë pothuajse i njëjtë që nga fillimi i verës, përkatësisht që nga qershori, me variacione të vogla.

Sipas Kerqelit, në këtë periudhë rrjedha e ujit në Ibër optimizohet për shkak të nevojave për ujitje, por edhe për shkak të punimeve që po zhvillohen për ndërtimin e urës mbi lumë.

“Të dhënat e NH ‘Ibër-Lepenc’ tregojnë se niveli aktual është në përputhje me atë të muajve të fundit (qershor-shtator), pa ndryshime të konsiderueshme përtej variacioneve normale sezonale të lidhura me nevojat për ujitje”, ka thënë ai.

Kerqeli ka theksuar se mungesa e reshjeve dhe temperaturat e larta për një periudhë të gjatë kanë ndikuar në nivelin e përgjithshëm të prurjeve.
Megjithatë, sipas tij, gjendja konkrete e vërejtur në këtë pjesë të Ibrit lidhet me bajpasin e ndërtuar në lumë në kuadër të punimeve për ndërtimin e urës.

Ai ka thënë se ky bajpas është bërë nga kontraktori apo autoriteti kontraktues në kuadër të projektit dhe se kjo ndërhyrje është jashtë kompetencës dhe përgjegjësisë së “Ibër-Lepencit”.
Sa i përket liqenit të Ujmanit, Kerqeli ka deklaruar se nivelet e ujit janë të mira dhe normale për këtë periudhë të vitit dhe nuk paraqesin shqetësim për funksionimin e sistemit “Ibër-Lepenc”.

“Sa i përket bajpasit në lumin Ibër, ky nuk është ndërmarrë nga ana e ndërmarrjes – NH ‘Ibër-Lepenc’ është përgjegjëse për sistemin e ndërmarrjes, jo për lumin Ibër apo punimet që zhvillohen aty”, ka thënë ai.

Komuna e Mitrovicës së Jugut ka theksuar se, nga aspekti mjedisor, punimet dhe mënyra e devijimit të përkohshëm të rrjedhës duhet të zhvillohen në përputhje me kërkesat dhe standardet përkatëse, në mënyrë që të minimizohet ndikimi në lumë dhe mjedisin përreth.
Punimet në këtë pjesë të Ibrit janë pjesë e projektit të Ministrisë së Infrastrukturës, ndërsa devijimi i rrjedhës është masë e përkohshme për realizimin e punimeve për urën dhe skarpatet e lumit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.