
Pjesëmarrja e Kosovës në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork duhet të shfrytëzohet edhe për adresimin e çështjes së dënimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Gjykata Speciale, vlerësojnë ish-diplomatët.
Ish-diplomatja Alma Lama ka thënë se takimet e zhvilluara nga kryeministri Albin Kurti në Nju Jork janë të rëndësishme, por, sipas saj, për çështjen e Gjykatës Speciale duhet të ketë kontakte në nivele më të larta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar një sërë takimesh bilaterale në Nju Jork. Ai është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, përfaqësuesen e lartë të BE-së, Kaja Kallas, si dhe me senatorë dhe kongresistë amerikanë.
Sipas njoftimeve të Qeverisë, Kurti në këto takime ka shprehur shqetësimin për dënimet e rënda dhe, siç i ka cilësuar ai, të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara, pas një procesi që, sipas tij, nuk ka qenë transparent në tërësinë e tij.
Ndërkohë, ish-diplomati Albert Prenkaj ka kërkuar që çështja e dënimit të ish-krerëve të UÇK-së të trajtohet përmes një angazhimi të vazhdueshëm diplomatik.
Prenkaj ka thënë se delegacioni i Kosovës në Nju Jork duhet ta ketë adresuar këtë çështje në takimet me përfaqësuesit e shteteve, por ka shprehur dyshime nëse një gjë e tillë është bërë në mënyrë të mjaftueshme.
Sipas tij, Kosova duhet ta mbajë të hapur këtë çështje dhe të përdorë rrjetin diplomatik për të përcjellë mesazhin e saj në qendrat kryesore ndërkombëtare.
Gjykata Speciale më 16 shtator dënoi me gjithsej 81 vjet burg ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, për, siç është thënë, krime lufte./KP