Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Japonia renovon shkollën “Dr. Ibrahim Rugova” në Obiliq, salla e sportit bëhet me pamje të re

Gazeta10
23 September 2026 - 16:40

E ka emrin e presidentit historik të Kosovës, por tani e tutje ky institucion arsimor e ka edhe gjurmë të Japonisë.

Falë ndihmës së shtetit të zhvilluar aziatik, Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Dr. Ibrahim Rugova” në Obiliq, u renovua bashkë me salln sportive.

Bëhet fjalë për programin “Grant Assistance for Grassroots Human Security Projects (GGP)”, punimet e përfunduara të të cilit u përuruan të mërkurën, me një ceremoni, ku morën pjesë përfaqësues të Ambasadës së Japonisë në Kosovë, drejtues të shkollës dhe Komunës së Obiliqit, si dhe nxënës e pjesëmarrës të tjerë.
Detajët e projektit i prezantoi, Hiroyasu Tanigaki, i ngarkuari me punë pranë Ambasadës së Japonisë në Republikën e Kosovës. Sipas tij, e tëra u bë në të mirë të komunitetit dhe të sigurisë së nxënësve.

“Kjo shkollë ka qenë një shtyllë e arsimit në komunitetin e Obiliqit që nga viti 1979. Pas më shumë se katër dekadash shërbimi, ishin të nevojshme riparime thelbësore. Dyshemetë dhe muret e klasave ishin degraduar, ndërsa edhe dyshemeja e sallës së sportit ishte dëmtuar, duke ngritur shqetësime për sigurinë e nxënësve dhe të stafit. Në përgjigje të kësaj, Qeveria e Japonisë ofroi një grant prej 67,122 eurosh në kuadër të programit GGP, ndërsa kontrata e grantit u nënskrua në tetor të vitit 2022. Nëpërmjet kësaj mbështetjeje, u rinovuan dyshemetë e 19 klasave dhe të sallës së sportit, si dhe muret e 25 klasave. Synimi ishte i thjeshtë, por i rëndësishëm që ta bënim shkollën më të sigurt dhe t’u ofronim nxënësve një mjedis më të mirë për të mësuar e për t’u rritur. Shkolla është më shumë se një ndërtesë; ajo është një vend ku fëmijët mësojnë, krijojnë miqësi, zbulojnë aftësitë e tyre dhe përgatiten për të ardhmen”, tha ai.

Drejtoresha e shkollës, Fatmire Mjekiqi, tha se kanë shumë arsye për gëzim pas implementimit të projektit, i cili u bë i mundur falë kontributit tëë shtetit japonez përmes përfaqësisë diplomatike në Republikën e Kosovës.
“Gjatë rrugëtimit të përbashkët në formësimin që ky projekt ka marrë sot, padyshim që jam thellësisht falënderuese për të gjithë zyrtarët, diplomatët e Ambasadës Japoneze, të cilët në asnjë moment nuk hezituan të na japin ndihmën e kërkuar, gjithnjë në funksion të realizimit që ky projekt të marrë përmasat që i kishte qysh në vitin 2022. Renovimi i sallës së sportit përbëne një kthesë të rëndësishme, në radhë të parë me impakt direkt në mirëqenien e nxënësve. Pastaj edhe në modernizimin e përgjithshëm në infrastrukturën bazike të shkollës, përfshirë këtu të gjitha pjesët, klasët, dhomat në shkollën tonë”, tha Mjekiqi.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, tha se shkolla që u renovua nga qeveria japoneze ka rëndësi të madhe për komunitetin.

“Me të vërtetë, për neve ishte shumë me rëndësi shtyrja përpara e këtij projekti që vecse kishte mbetur në gjysmë. Prandaj, unë dua ta falënderoj shumë popullin japonez për ndihmën që na ka dhënë. Faleminderit shumë. Jemi shumë falënderues. Ndoshta, ndoshta ky projekt për dikë duket shumë i vogël, por për komunën tonë, shkollën tonë, që e mban emrin e simbolit, presidentit tonë Ibrahim Rugova, pra për ne është shumë me rëndësi, për nxënësit tanë është shumë me rëndësi”, tha Thaci.

Thaçi tha më pas në një prononcim tha se pushteti I kaluar komunal nuk e kishte marrë këtë projekt me seriozitetin e duhur.
“Jemi këtu në shkollën ‘Ibrahim Rugova’, që sot e kemi bërë përurimin e hapjes së fillimit të punës së sallës së edukatës fizike. Që nga viti 2024, kjo sallë e edukatës fizike në këtë shkollë ka qenë jashtë funksionit, për arsye se e kemi pasur një donacion nga Ambasada Japoneze, që e falënderojmë shumë. Mirëpo, neglizhenca në punë ka ndodhur dhe ky investim është prolonguar deri në këtë masë. Prandaj, sot bashkë me stafin e shkollës këtu, me drejtoreshën e Arsimit dhe përfaqësuesin nga Ambasada Japoneze, ne e premë shiritin dhe kjo sallë e edukatës fizike do të jetë në funksion të nxënësve të shkollës ‘Ibrahim Rugova’. Keni parasysh që shkolla ‘Ibrahim Rugova’ është shkolla kryesore e mesme e ulët në qytetin e Obiliqit”, tha Thaci./KP

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.