
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka reaguar pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ai, sipas tij, konfirmon qëndrimet që kjo parti i ka mbajtur vazhdimisht. Gruda ishte një nga deputetët që e kishte dërguar këtë çështje në Kushtetuese.
Përmes një postimi, ai ka deklaruar se Kushtetuta është shkelur për shkak të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor.
“Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese ka vërtetuar qëndrimet që PDK-ja i ka mbajtur vazhdimisht gjatë gjithë kësaj kohe”, ka shkruar Gruda.
Ai ka theksuar se, sipas vendimit të Kushtetueses, afati për zgjedhjen e Presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor.
Sipas Grudës, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund t’i zhvendosë afatet kushtetuese sipas interesave të saj politike dhe ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve më 27 dhjetor.
Deputeti i PDK-së është ndalur edhe te çështja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e kësaj partie, duke theksuar se kjo pozitë duhet të plotësohet dhe nuk mund të anashkalohet apo të mbetet peng i vullnetit të shumicës parlamentare.
Gruda ka bërë thirrje që institucionet të veprojnë brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
“Tani kemi vetëm 13 ditë kohë për të vepruar: për t’i miratuar ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, për ta zgjedhur Presidentin e Republikës dhe për t’i shmangur zgjedhjet e reja. Koha është e kufizuar dhe përgjegjësia tashmë është e qartë”, ka shkruar ai.
Në përfundim, Gruda ka ritheksuar se afatet kushtetuese nuk mund të përshtaten sipas interesave politike të momentit.
“Vendimi i sotëm konfirmon një parim themelor: afatet kushtetuese nuk janë çështje vullneti politik dhe Kushtetuta nuk mund të përshtatet sipas interesave të momentit”, ka përfunduar Gruda.