
Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Arian Dyrmishi, ka komentuar në emisionin “Gazeta” dyshimet për informacionet që ish-drejtoresha e AKI-së, Vlora Hyseni, mund t’i ketë dhënë Ergys Agasit.
Dyrmishi tha se deri më tani nuk është e qartë se çfarë informacioni është përcjellë, ndërsa nga ato që janë bërë publike, dyshimet lidhen me informacione mbi lëvizjet e policisë.
“Nuk e dimë akoma, sepse deri tani ajo që është bërë evidente, e dukshme nga hetimi, duket se ka pasur të bëjë me mbështetjen, duke i dhënë informacione mbi lëvizjet e policisë ose duke i siguruar mbrojtje për të mos u kapur, pasi Agasi prej disa muajsh ishte në kërkim”, tha Dyrmishi.
Sipas tij, nëse bëhet fjalë vetëm për informacione që kanë ndihmuar Agasin t’i shmanget arrestimit, ky do të ishte një dëm më i vogël në raport me rrezikun që mund të paraqesë komprometimi i informacioneve të ndjeshme të sigurisë.
“Unë do të thosha që ky do të ishte dëmi më i vogël në kuptimin e komprometimit të informacioneve. Nuk e dimë se klientët e Agasit kanë pasur akses në informacionin e punës publike sa i përket Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës”, u shpreh ai.
Dyrmishi paralajmëroi se skenari më shqetësues do të ishte nëse personave të paautorizuar u është dhënë qasje në informacione që prekin sigurinë kombëtare të Kosovës dhe atë të aleatëve të saj.
“Dëmi më i madh do të ishte nëse persona të tillë do t’u ishte dhënë akses në informacione që cenojnë sigurinë kombëtare dhe atë të aleancës”, deklaroi Dyrmishi.