Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Sonte Kosova-Irlanda, Dardanët synojnë ta nisin me fitore

Gazeta10
24 September 2026 - 9:12

Kosova nis sonte rrugëtimin në Ligën e Kombeve, në “Fadil Vokrri” pret Irlandën

Kombëtarja e Kosovës në futboll sonte nis një kapitull të ri në Ligën e Kombeve, teksa në stadiumin “Fadil Vokrri” do të përballet me Irlandën.

“Dardanët” kanë zhvilluar përgatitjet gjatë ditëve të fundit, ndërsa në kampin e përfaqësueses mbretëron atmosferë pozitive para sfidës së parë.

Përzgjedhësi Franco Foda e ka pranuar se Kosovën e presin katër ndeshje të vështira, duke e cilësuar Austrinë si favorite të grupit.

Megjithatë, trajneri gjerman ka theksuar se synimi kryesor është që Kosova të paraqitet mirë dhe ta ruajë statusin në Ligën B.

“Na presin lojëra të vështira dhe Austria është favorite. Ne kemi qëllime të larta. Në radhë të parë dëshirojmë të mbesim në Ligën B, pastaj, nëse paraqitemi mirë, të vazhdojmë dhe të ngrihemi”, ka deklaruar Foda.

Në prag të përballjes me Irlandën, Foda ka konfirmuar edhe ndryshimin në hierarkinë e kapitenëve. Shiritin e kapitenit do ta mbajë sulmuesi Vedat Muriqi, ndërsa Mërgim Vojvoda do të jetë zëvendëskapiten.

“Kapiteni i Kombëtares do të jetë Vedat Muriqi. E kemi diskutuar këtë edhe me lojtarët. I dyti do të jetë Mërgim Vojvoda”, ka thënë Foda.

Në anën tjetër, përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrímsson, ka vlerësuar lart përfaqësuesen e Kosovës, duke veçuar në veçanti kapitenin Vedat Muriqi.

“Vedat Muriqi ka shënuar 32 gola në 68 ndeshje dhe ka shtatë gola në 10 paraqitje për Fenerbahçen deri më tani këtë sezon. Por ka edhe lojtarë të tjerë që kërkojnë vëmendje, pasi janë lojtarë cilësorë”, ka deklaruar Hallgrímsson.

Ndeshja mes Kosovës dhe Irlandës zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”, me fillim nga ora 20:45.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.