
Në akademinë përkujtimore të mbajtur në shënim të 3-vjetorit të rënies në krye të detyrës të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka kujtuar sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit të 24 shtatorit 2023, duke vlerësuar se Policia e Kosovës kishte parandaluar një përpjekje për shkëputjen dhe aneksimin e veriut të vendit.
Haxhiu ka thënë se mëngjesin e 24 shtatorit 2023, Afrim Bunjaku dhe kolegët e tij ishin nisur drejt Banjskës pas njoftimit se hyrja e fshatit ishte bllokuar, ndërsa sipas saj, ajo që i priste atje ishte një sulm i organizuar dhe i armatosur.
“Më 24 shtator të vitit 2023, në orët e para të mëngjesit, Afrim Bunjaku dhe kolegët e tij u nisën drejt Banjskës, pas njoftimit se hyrja e fshatit ishte bllokuar me dy kamionë. Ajo që i priste atje nuk ishte thjesht një incident i zakonshëm policor, por ishte një sulm terrorist i përgatitur paraprakisht nga një grup i organizuar dhe i armatosur rëndë me eksploziv, automatikë të blinduar dhe sasi të mëdha municioni”, tha Haxhiu.
Sipas Haxhiut, institucionet e Kosovës kanë paraqitur dëshmi se pjesëtarët e grupit të armatosur ishin trajnuar dhe përgatitur në Serbi, ndërsa një pjesë e madhe e armatimit, sipas saj, vinte nga Serbia.
“Institucionet tona kanë paraqitur dëshmi se pjesëtarët e atij grupi ishin trajnuar dhe përgatitur në Serbi dhe se pjesa më e madhe e armatimit vinte po ashtu prej Serbisë. Synimi nuk ishte vetëm sulmi ndaj Policisë së Kosovës, por shkëputja e një pjese të territorit të Republikës së Kosovës dhe bashkimi i saj me Serbinë. Këtë synim e ka konstatuar këtë vit edhe Gjykata Themelore në Prishtinë përmes aktgjykimit në rastin Banjska”, theksoi ajo.
Ajo ka folur edhe për përvojën e Afrim Bunjakut në Policinë e Kosovës, duke theksuar se ai kishte 22 vjet përvojë në polici dhe 16 vjet shërbim si rreshter.