
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës , Arian Tahiri, pas mbledhjes së parë të Legjislaturës së 11-të të Kuvendit, ka bërë thirrje për unitet politik lidhur me nismën ligjore për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tahiri tha se kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, është zotuar se personalisht do të komunikojë me kryeminsitrin Albin Kurti në mënyrë që nisma ligjore të trajtohet dhe të sigurohet vullneti i të gjitha palëve.
“Znj. Haxhiu u zotua se personalisht do të komunikojë me kryeministrin Albin Kurti, në mënyrë që nisma ligjore të trajtohet dhe të sigurohet vullneti i secilës palë, të ketë drejtësinë që po e kërkojmë.”
Tahiri tha se, në rrethanat aktuale, kërkohet përgjegjësi kombëtare dhe politike, duke theksuar se PDK-ja po bën thirrje për unitet politik.
“Vetëm duke qenë të bashkuar mund ta ndryshojmë këtë padrejtësi. 16 vjet burgim është realitet që e cenon luftën tonë të shenjtë.”
Ai theksoi gjithashtu se projektligji duhet të trajtohet si një çështje që lidhet me UÇK-në dhe shtetin e Kosovës, duke kundërshtuar interpretimin se bëhet fjalë për një nismë vetëm të PDK-së.
“Projektligji që s’është nismë e PDK-së, pasi ligji është për UÇK-në, për shtetin e Kosovës, dhe UÇK-ja është e secilit shqiptar, e të gjithëve.”
Deklaratat Tahiri i bëri pas përfundimit të mbledhjes së parë të Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.