Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Qeveria miraton një varg projektligjesh, përfshirë Byronë për Verifikimin e Pasurisë

Gazeta10
26 September 2026 - 15:09

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbrëmë mbledhjen e dytë elektronike, në të cilën ka miratuar një sërë projektligjesh dhe vendimesh në fusha të ndryshme.

Ndër vendimet kryesore është miratimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili synon themelimin dhe organizimin e kësaj Byroje, përcaktimin e kompetencave të saj, si dhe procedurave për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Në fushën e drejtësisë, Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve. Përmes tij përcaktohen rregullat për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve e prokurorëve.

Po ashtu, është miratuar Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, i cili përcakton parimet, procedurat, organet kompetente dhe masat disiplinore në rast të shkeljeve të detyrimeve profesionale.

Në këtë kuadër, Qeveria ka miratuar edhe projektligjet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, si dhe Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë.

Ky i fundit synon sigurimin e zhvillimit profesional të vazhdueshëm, cilësor dhe të standardizuar të gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve të tjerë të lidhur me sistemin e drejtësisë.

Në sektorin e energjisë, ekzekutivi ka miratuar Projektligjin për Energjinë, përmes të cilit synohet përcaktimi i parimeve dhe rregullave të përgjithshme për aktivitetet në sektorin energjetik, përfshirë furnizimin e sigurt dhe të qëndrueshëm me energji, funksionimin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Gjithashtu, është miratuar Projektligji për Energjinë Elektrike, që përcakton rregullat dhe masat për këtë sektor, me synim garantimin e furnizimit të sigurt, të qëndrueshëm dhe cilësor me energji elektrike, si dhe adresimin e caqeve klimatike të vendit.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.

Në mbledhje është miratuar edhe Projektligji për Inovacion dhe Ndërmarrësi, i cili synon krijimin e mekanizmave institucionalë për mbështetjen dhe promovimin e aktiviteteve inovative dhe ndërmarrëse.

Ndërkaq, me Projektligjin për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare, synohet parandalimi i vonesave në pagesa dhe përcaktimi i rregullave për afatet dhe mënyrën e llogaritjes së kamatëvonesave në transaksionet ndërmjet shoqërive tregtare, si dhe ndërmjet bizneseve dhe autoriteteve publike.

Qeveria ka marrë gjithashtu vendim për t’i propozuar Kuvendit kandidatët për Kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, si dhe kandidatët për dy pozita të anëtarëve të këtij bordi.

Në mbledhje janë miratuar edhe disa vendime për qiradhënien e pronave, kryesisht për shfrytëzimin dhe përpunimin e gurit gëlqeror, vendosjen e mekanizmave për seperim e deponim të materialit të ngurtë dhe shfrytëzimin e gurit dekorativ në disa zona kadastrale.

Qeveria ka miratuar Deklaratën e Prioriteteve Afatmesme të Qeverisë 2027–2029, e cila përcakton kornizën e politikave për përgatitjen e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe buxhetit vjetor nga Ministria e Financave.

Po ashtu, është vendosur që Komisionit për Verifikimin e Diplomave të Lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut t’i zgjatet mandati edhe për tre muaj.

Qeveria ka miratuar vendimin për Listën e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Kategorinë e Ulët dhe të Mesme Drejtuese, si dhe vendimin për pezullimin nga marrëdhënia e punës të një nëpunësi civil të kategorisë së lartë drejtuese.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.