Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Gërvalla: Ministria e Drejtësisë po analizon projektligjin e PDK-së, opinioni do t’i dërgohet shpejt Qeverisë

Gazeta10
26 September 2026 - 14:23

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara kërkojnë kujdes të madh dhe ekspertizë të lartë.

Ajo ka bërë të ditur se Ministria e Drejtësisë është duke analizuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Gërvalla ka thënë se pas përfundimit të analizës, ministria do t’ia përcjellë Qeverisë opinionin e saj, duke theksuar se procesi nuk do të zvarritet.

“Sfidat me të cilat ballafaqohemi edhe këto ditë kërkojnë bashkërendim të gjithë neve për çështje që kanë të bëjnë me shtetin, kushtetutshmërinë, historinë dhe të ardhmen tonë të përbashkët”, ka deklaruar Gërvalla.

Ajo ka theksuar se shumica e çështjeve që lidhen me Dhomat e Specializuara janë të natyrës së ekspertizës së lartë dhe se nevojitet kujdes për të shmangur gabimet.

“Në Ministrinë e Drejtësisë janë ekspertët që po e analizojnë edhe projektligjin e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Kur ta kemi gati, do t’ia dërgojmë Qeverisë opinionin tonë. Nuk do ta vonojmë, shpejt do ta dërgojmë. Por as nuk duam të nxitohemi, e ta paguajmë me cilësi të munguar e gabime të papranueshme”, ka thënë ajo.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.