
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj deklaratave të ambasadorit britanik në Kosovë lidhur me dënimet e dhëna nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Çitaku ka kundërshtuar vlerësimin se dënimet kanë të bëjnë me “krime individuale ndaj komuniteteve të ndryshme”, duke argumentuar se, sipas saj, pesha e vendimit lidhet edhe me konstatimet për ekzistencën e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.
“Qartazi, ambasadori i nderuar as nuk e ka lexuar aktakuzën, as nuk e ka përcjellë procesin, e as nuk e ka dëgjuar aktvendimin e Gjykatës”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se, sipas saj, vendimi nuk mund të relativizohet apo të reduktohet vetëm te individët e dënuar.
“UÇK është cilësuar si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Ky është thelbi. Kjo është pesha e këtij vendimi”, ka deklaruar Çitaku.
Në reagimin e saj, ajo ka kundërshtuar mundësinë që, siç shprehet, historia e luftës së Kosovës të “rishkruhet për komoditetin politik të askujt”.
“Ne nuk kemi me heshtë derisa lufta jonë për liri të përshkruhet me gjuhën e kriminalitetit. Nuk kemi me e pranu që historia jonë të rishkruhet për komoditetin politik të askujt. Jo. Jo në emrin tim”, përfundon reagimi i saj.