Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Paraburgim një muaj për nëntë të arrestuarit për krime lufte

Gazeta10
29 September 2026 - 19:01

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji ndaj nëntë të pandehurve, të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.

Të pandehurit D.D., M.R., M.R., R.R., S.D., S.D., V.L., R.R. dhe D.D. dyshohen se kanë kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të ish-Ligjit Penal të ish-RSFJ-së.

Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj nëntë të pandehurve, duke caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin.
Gjykata ka vlerësuar se caktimi i masës së paraburgimit është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që, nëse të pandehurit lihen në liri, të njëjtit mund të pengojnë zhvillimin normal të procedurës penale, t’i shmangen ndjekjes penale dhe të bëhen të paarritshëm për organet e drejtësisë.

Ky vlerësim mbështetet në faktin se të pandehurit kanë nënshtetësi dhe vendbanim në Republikën e Serbisë, si dhe posedojnë pasaporta të Republikës së Serbisë, andaj ekziston rreziku konkret që të pandehurit, me qëllim të shmangies së ndjekjes penale, të largohen dhe t’i ikin drejtësisë.

Gjykata gjithashtu ka vlerësuar se, nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit të ndikojnë në prova dhe në dëshmitë e tyre, duke penguar administrimin e drejtë dhe të plotë të provave, si dhe zbardhjen e plotë të gjendjes faktike, transmeton rtklive.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.