Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti: Zgjedhjet e reja janë të shmangshme, le të ulemi bashkë për zgjedhjen e presidentit

Gazeta10
30 September 2026 - 10:43

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë ka bërë thirrje për bashkëpunim politik për zgjedhjen e presidentit të ri, duke thënë se zgjedhjet e reja mund të shmangen.

“Ne kemi një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por e dimë që ajo u shkel e u braktis nga 6 deputetë të saj, përkundër që ajo e kishte bekimin e kryesisë së partisë së tyre. Para nesh po sot kemi edhe 60 deputetë që t’i dhanë vendit president ose presidente të re. Përveç arritjes së një marrëveshjeje të re, edhe zgjedhja e presidentit është e mundshme. Rrjedhimisht, zgjedhjet e reja të përsëritura, të panevojshme, të kushtueshme, me pasoja të rënda, gjithsesi se janë të shmangshme”, tha mes tjerash Kurti.

Ai u bëri thirrje partive politike që të ulen së bashku dhe të gjejnë një zgjidhje për situatën e krijuar.

“Andaj, le të ulemi bashkë sepse zgjedhjet e reja, ndonëse do të shkaktoheshin si pasojë e dështimit për zgjedhjen e presidentit, sërish nuk do të ishin zgjedhje për president. Ato, përveçse pa Kuvend edhe një herë, këtë herë do të na linin edhe me paqartësi për ushtrimin e detyrës së presidentit. Ndërkaq, qeveria do të mbetet në detyrë”, u shpreh ai.

Kurti ka cituar më pas edhe pikën e tretë të deklaratës së miratuar në Kuvend.

“Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e të vërtetës plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës”, citoi Kurti.

Kryeministri tha se qytetarët presin më shumë përgjegjësi nga institucionet dhe se vendi nuk ka nevojë për kriza të reja politike.

“Qytetarët presin prej nesh më shumë përgjegjësi, ndërsa kanë nevojë për institucionet që të vazhdojnë punën, për ekonominë që të vazhdojë të rritet, për projektet që ecin përpara, ndërsa Kosova nuk e ka luksin të humbasë kohë në kriza të panevojshme. Duhet ta kuptojmë qartë: nuk kemi nevojë që të shkojmë pa ndërprerje, pa numër herë në zgjedhje vetëm për të arritur në pikën e njëjtë”, ka theksuar ai.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.