Kontaktoni

info@gazeta10.com

10plus

Videoklipi i Don Xhonit në “Makedonium” e bën “llugë” Maqedoninë, reagon edhe Mickoski

Gazeta10
30 September 2026 - 14:59

Xhirimi i videoklipit të reperit nga Kosova, Don Xhoni, në monumentin “Mekedonium” në Krushevë të Maqedonisë së Veriut, ka nxitur debat të madh atje dhe në rrjetet sociale.

Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski ka paralajmëruar shkarkimin e drejtorit dhe Bordit Drejtues të monumentit kulturor “Makedonium” në Krushevë, ku u lejua që reperi nga Kosova të xhirojë videoklipin e këngës “Sexy Mama”.

Sipas informacioneve që qarkulluan në mediat maqedonase, ai lokacion u dha me qira për xhirim për vetëm 500 euro.

“Me të vërtetë, ajo që ndodhi atje ishte diçka që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë. Do t’i kërkoj ministrit të Kulturës dhe Turizmit të shkarkojë drejtorin e atij institucioni së bashku me Bordin Drejtues, sepse institucionet e tilla nuk duhet të keqpërdoren për qëllime të tilla. I kërkoj falje qytetarëve për këtë lëshim dhe do të përpiqemi që të mos ndodhë më në të ardhmen. Prandaj, sot do të kërkoj që të shkarkohen si anëtarët e Bordit Drejtues, ashtu edhe drejtori i atij institucioni kulturor”, tha Mickoski.

Shumë komentues maqedonas e kanë quajtur ofendues veprimin që një objekt i tillë historik të jepet me qira për xhirimin e videoklipeve, duke mos kursyer as ofendimet në drejtim të reperit dhe produksionit që e ka menaxhuar videoklipin.

Për këtë rast reaguan sot edhe nga Ministria e Kulturës.

Ministri, Sedat Sulejmani tha se drejtorët duhet të jenë të kujdesshëm kur japin objekte me qira dhe duhet të dinë se çfarë programesh do të mbahen dhe me çfarë përmbajtjeje.

“Unë, si ministër i Kulturës dhe Turizmit, gjegjësisht ne si Ministri jemi përgjegjës për mbrojtjen e të gjithë artistëve dhe të gjithë punonjësve të kulturës. Kemi një rast para nesh që është vërtet i ndjeshëm, por do të shohim me shërbimet ligjore se si mund të veprojmë më tej ose me ndonjë ndryshim ligjor, sepse në këtë moment ekziston e drejta ligjore për qira, por drejtorët duhet të jenë të kujdesshëm kur japin objekte me qira, duhet të dinë se çfarë programesh do të mbahen dhe me çfarë përmbajtjeje. Problemi është i ri, është xhiruar më parë, ndërsa unë ende nuk kam informacion të detajuar dhe jemi në proces të zgjidhjes së problemit. Do të sigurojë informacione shtesë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë më pas, u përgjigj ministri Sulejmani në pyetjen e gazetarëve.

“Makedoniumi”, e cila është një trashëgimi kulturore e mbrojtur e shtetit, thuhet se për një shumë prej 500 eurosh iu dha produksionit të reperit nga Kosova, Don Xhoni, për xhirimet e pjesëve të videoklipit të këngës së tij “Seksi Mama”.

 

 

 

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.