Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

PDK largohet nga Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së, kërkon procedimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara

Gazeta10
01 October 2026 - 10:34

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë larguar nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, pas konstituimit të tij, duke kërkuar që në Kuvend të procedohet sa më parë plotësim-ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Deputetja e PDK-së, Besa Kabashi, tha se konstituimi i institucioneve është i rëndësishëm, por prioritet mbi prioritete është Ligji për Dhomat e Specializuara.

“Ne sapo morëm pjesë në Komisionin për Mbikëqyrjen e AKI-së, dhe natyrisht si Parti Demokratike e Kosovës konsiderojmë që konstituimi i institucioneve është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe ishim aty. Mirëpo gjithashtu jemi larguar nga ky takim pas konstituimit për shkak se për momentin për Republikën e Kosovës nuk ka ndonjë prioritet më të madh se sa procedimi i plotësim-ndryshimit të Ligjit për Specialen”, tha Kabashi-Ramaj.
Edhe deputeti i PDK-së, Rrahman Rama, deklaroi se partia e tij e konsideron këtë ligj “prioritet mbi prioritetet”.

“Për neve si parti, qysh e tha edhe Besa, është prioritet mbi prioritetet ligji. Dhe ne nuk do të marrim pjesë në asnjë komision pa u kry ky ligj. Në qoftë se shohim kanë ardhur shumë ligje këtu brenda për brenda Kuvendit nëpër komisione të ndryshme, dhe ne besojmë, dhe po besoj, edhe gjithë qytetarët besojnë që prioriteti numër një është Ligji për Dhomat e Specializuara”, deklaroi Rama.

Ndërsa, kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha, tha se duhet diskutuar mundësia për të parë se si të mos shkohet edhe në një palë zgjedhje të reja, pasi afati për zgjedhjen e presidentit skadon më 6 tetor.
“Kjo çështje nuk është e një partie, por, e të gjithëve, dhe kisha lut gjithë deputetët ta japin kontributin e vet që ne të stabilizohemi e të kemi komisione të rregullta e parlament. Jemi me afat edhe katër apo pesë ditë kemi mandate nëse nuk shkojmë në zgjedhje sikur jemi mësuar, ka mundësi që shkojmë sërish për shkak të mosinteresimit. Kosova më nuk është e njëjtë prej datës 16, prej asaj që ka ndodhur, nuk ka të bëjë me individ, por me fatin e Kosovës. Këtu tash ne duhet të ulemi dhe të ja nisim si duhet të zgjedhim…E mbaj mend, një kohë vinin ambasadat dhe na tregonin çka të bëjmë, tash ne duhet të marrim rol, deputet e Kuvendit të Kosovës sepse nuk është duke marrë askush me çështjet tona. I kisha lut të komunikojmë mes vete e me pas atdhe dashuri”, tha Berisha.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.