
Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, ka thënë që protestat në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë pasur efekt pasi Qeveria do të dërgojë në Kuvend përgjigjen për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në vendimin e sontëm, të nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti, Qeveria ka shqyrtuar kërkesën e Kuvendit të Kosovës, të datës 23 shtator.
“Protesta e dha efektin te Qeveria! Ajo u dorëzua! Tash, protesta duhet ta drejtojë presionin te Kuvendi dhe te secili deputet, që ligji të sillet sa më parë në Kuvend, madje qysh nesër, dhe të hidhet në votim”, shkroi Rrahmani në Facebook.
“Unë do të votoj PËR! Do të jetë vota me peshën më të madhe të ndërgjegjes që kam dhënë gjatë katër mandateve të mia si deputet”.
“Tash përgjegjësia është te Kuvendi dhe te secili deputet!”