
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se është optimist që plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara do të kalojë nesër në Kuvend.
Ai në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së, ka thënë se partia e tij asnjëherë nuk ka kërkuar të bëhet pjesë e Qeverisë Kurti, por se është e hapur për t’i dhënë vendit president.
“Ne nuk kemi kërkuar asnjëherë të jemi pjesë e qeverisë por nuk jemi të mbyllur dhe përjashtues për t’i dhënë vendit president. Nesër jam optimist se ligjin do ta përkrahin të gjithë deputetët, edhe i lus edhe i ftoj të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të jenë në mbështetje të këtij projektligji”, deklaroi Hamza.
Ai e cilësoi projektligjin si të rëndësishëm për procesin e drejtësisë, duke theksuar se qëndrimi i tij dhe i PDK-së nuk është kundër drejtësisë, por kundër asaj që ai e konsideron padrejtësi në proceset e Dhomave të Specializuara.
“Është një ligj tepër i rëndësishëm, është një ligj që kërkon të vendosë drejtësi. Nuk jemi kundër drejtësisë, jemi kundër padrejtësisë”, tha ai.
Hamza tha se synimi është që procesi i apelimit të zhvillohet brenda Dhomave të Specializuara dhe që vendimet të bazohen në prova dhe fakte.
Aii theksoi se iniciativa nuk synon shpërbërjen e Dhomave të Specializuara, por vendosjen e mekanizmave që, sipas tij, do ta rikthenin procesin brenda kornizave juridike dhe ligjore.
“Ne nuk po e shpërbëjmë Gjykatën apo Dhomat e Specializuara, por po vendosim mekanizma, po e vendosim, po e kthejmë brenda normave juridike dhe ligjore”, deklaroi Hamza.
Ai shprehu bindjen se projektligji do të marrë mbështetjen e deputetëve dhe se procedurat e tij do të përfundojnë brenda Kuvendit.