
Futbollisti i Gjilanit, Albert Dabiqaj, është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 15 në Albi Mall Superligën e Kosovës, raporton Gazeta10.
Dabiqaj pati paraqitje shumë të mirë në duelin ndaj Prishtinës dhe ishte më i merituari që Gjilani arriti ta arkëtojë një pikë në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Ai, përveç lojës së mirë gjatë tërë ndeshjes, arriti të shënojë të dy golat për skuadrën e tij në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, e cila u mbyll baras 2:2.
Pas marrjes së çmimit futbollisti i skuadrës gjilanase theksoi se ky çmim i jep motiv për të vazhduar të japë më të mirën në fushën e gjelbër.
“Duke pasur parasysh periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalon ekipi ynë, ky çmim është një motiv shtesë për të vazhduar punën me përkushtim dhe për të luftuar në Albi Mall Superligën e Kosovës. SC Gjilani ka një ekip kualitativ e të komponuar por problemet tashmë të ditura për publikun, na kanë lënë disa hapa prapa me skuadrat e tjera. Besoj që çdo gjë do të përmirësohet dhe do të kthehemi tek rezultatet e mira dhe aty ku e kemi vendin. “ deklaroi Dabiqaj.
Dabiqaj këtë sezon në elitën e futbollit kosovar, ka shënuar dy gola dhe ka kontribuar me dy asistime. /Gazeta10/