
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurohen se janë të vaksinuar kundër fruthit.
Përmes një video-adresimi, Vitia ka paralajmëruar se fruthi është rikthyer në vendin tonë, duke theksuar se kjo sëmundje mund të shkaktojë komplikime dhe probleme serioze shëndetësore.
Ai ka vlerësuar se vaksinimi i rregullt është mënyra më e sigurt dhe më efektive për mbrojtjen nga fruthi dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të tij.
“Të dashur prindër, fruthi është rikthyer në vendin tonë. Sëmundje që mund të shkaktojë komplikime dhe shumë telashe shëndetësore. Kjo situatë kërkon vëmendjen, përgjegjësinë dhe angazhimin e përbashkët të të gjithëve për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të kësaj sëmundjeje”, ka thënë Vitia.
Ai ka rikujtuar se fruthi mund të parandalohet përmes vaksinimit të rregullt, duke u bërë thirrje prindërve që të sigurohen se fëmijët e tyre janë të mbrojtur.
“Vaksinimi është mënyra më e sigurt dhe më efektive për mbrojtjen nga fruthi. Prandaj, të dashur prindër, ju lutem që të kontrolloni statusin e vaksinimit të fëmijëve tanë dhe të sigurohemi që ata të jenë të vaksinuar”, ka deklaruar ministri Vitia.