
Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, mori pjesë në panelin e edicionit të sivjetmë të Forumit të Tiranës për Konektivitet (TCF 2026), organizuar në bashkëpunim me Sekretariatin e CEFTA-s.
Forumi i këtij viti, nën temën “Të angazhuar, të përgatitur, të konektuar (Engaged. Prepared. Connected).”, bashkoi vendimmarrës të lartë rajonalë, përfaqësues të Bashkimit Evropian, përfaqësues nga Qeveria e Shqipërisë, biznese dhe ekspertë për të diskutuar mbi avancimin e Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM) dhe përshpejtimin e integrimit gradual në Tregun Unik të BE-së.
Gjatë fjalës së tij në panel, drejtori Llugaliu theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme të inovacionit si shtytës kryesor i integrimit rajonal. Në këtë kuadër, ai prezantoi suksesin e shënuar nga Dogana e Kosovës me zbatimin e plotë të procedurës së deklarimit para-mbërritjes (pre-arrival processing) – një praktikë e re dhe unike në rajon, e cila ka sjellë rezultate domethënëse për lehtësimin e tregtisë, siç është ulja e kohës së zhdoganimit deri në 70%, duke siguruar kursim të konsiderueshëm kohe dhe parash për të gjithë aktorët e përfshirë në tregtinë e jashtme të Republikës së Kosovës, si dhe procesim 24-orësh për dërgesat me risk të ulët, duke dhënë një impuls të fuqishëm dhe ndikim direkt në lehtësimin e eksporteve.
Megjithatë, u theksua se suksesi i njëanshëm nuk mjafton. Për të pasur efekte reale, zbatimi i reformave dhe përafrimi i praktikave duhet të ndodhë në të gjithë rajonin, duke shfrytëzuar faktin se të gjitha ekonomitë tona synojnë harmonizimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Në fund, drejtori Llugaliu nënvizoi se Sekretariati i CEFTA-s ka bërë punë të rëndësishme në përafrimin e praktikave dhe në ndërlidhjen e shkëmbimin e të dhënave, por ende duhet bërë punë në identifikimin e praktikave të mira dhe në zgjerimin e aplikimit të tyre përgjatë gjithë rajonit, për të siguruar një trajtim të barabartë, parashikueshmëri dhe standarde të unifikuara. Komisioni Evropian dhe partnerët e tjerë rajonalë mund të përkrahin përpjekjet e Sekretariatit dhe vendeve anëtare në këtë synim, si parakusht për integrimin e suksesshëm rajonal dhe evropian.