
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti të premten pasdite në takim kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Myftiun Naim Tërnava.
Gjatë takimit, Kurti u shpreh se është gjithmonë kënaqësi të takohet me Myftiun Tërnava, ndërsa ky i fundit e uroi për zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës në postin e presidentes së re të Kosovës.
Sipas njoftimit, zgjedhja e presidentes së re shmangu mbajtjen e zgjedhjeve të katërta parlamentare brenda më pak se dy vjetësh dhe mundësoi rikthimin e stabilitetit institucional në vend.
Në takim u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, ecurinë e projekteve të përbashkëta, si dhe rëndësinë e solidaritetit, humanizmit qytetar dhe ruajtjes së vlerave shoqërore e kombëtare.
Palët biseduan gjithashtu për situatën dhe zhvillimet politike në rajon dhe më gjerë, si dhe për aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Në këtë kontekst, u diskutua edhe për angazhimet e mëtejshme në procesin e apelimit.