Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Deklarimet e Daçiqit për “flamurin serb mbi Prizren” e pamjet e Radojiçiqit me djalin e Vuçiqit, Konjufca: S’janë provokime të izoluara

Gazeta10
10 October 2026 - 19:05

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar në rrjetin social “X” ndaj deklaratave të zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, se flamuri serb “herët a vonë do të valojë mbi Prizren”, si dhe paraqitjes së Milan Radoiçiqit në tubimin e presidentit serb, Aleksander Vuçiq, në Kragujevc.

Në reagimin e tij, Konjufca ka thënë se ambiciet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës janë dëshmuar sërish, duke theksuar se retorika e tillë tregon se synimet territoriale të Beogradit nuk i përkasin vetëm së kaluarës.

Ai ka përmendur edhe paraqitjen publike të Radoiçiqit, i cili kërkohet nga Interpoli në lidhje me sulmin terrorist në Banjskë, për të cilin Konjufca thotë se ai ishte organizator.

Sipas ministrit, këto nuk janë provokime të izoluara, por dëshmi të vazhdimësisë së një doktrine të rrezikshme politike, që përfshin ekspansionizmin territorial në retorikë dhe pandëshkueshmërinë për agresionin e armatosur në praktikë.

Konjufca ka vlerësuar se Serbia nuk mund të pretendojë se synon paqen dhe integrimin evropian, ndërkohë që zyrtarët e saj të lartë sfidojnë hapur sovranitetin e Kosovës dhe Radoiçiqi vazhdon të shfaqet publikisht, në vend që të përballet me drejtësinë.

Ai i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i dënojë pa ekuivoke këto veprime dhe të kërkojë llogaridhënie.

“Sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është i negociueshëm, dhe as drejtësia për sulmin terrorist në Banjskë”, ka theksuar Konjufca në reagimin e tij në “X”.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.