
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, gjatë vizitës që po zhvillon në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është takuar me kongresmenin amerikan Brandon Gill dhe ish-drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard.
Sadiku ka bërë të ditur se takimi me Gill ishte i shkurtër, por i mirë, duke vlerësuar rëndësinë e kontakteve me përfaqësues të politikës amerikane dhe krijimin e urave të reja të komunikimit.
“Gjithmonë kënaqësi të takosh përfaqësues të politikës amerikane dhe të ndërtosh ura të reja komunikimi. Miqësia Kosovë–SHBA mbetet e pazëvendësueshme”, ka shkruar Sadiku.
Gjatë qëndrimit në SHBA, deputeti kosovar është takuar edhe me Tulsi Gabbard, ish-kongresiste dhe veterane e ushtrisë amerikane, e cila ka shërbyer si drejtoreshë e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së.
Sadiku e ka cilësuar takimin si të veçantë, duke theksuar se kishte rastin të shkëmbente disa fjalë me Gabbard, e cila në atë pozitë ka mbikëqyrur dhe koordinuar komunitetin amerikan të inteligjencës, që përfshin 18 agjenci dhe organizata, përfshirë CIA-n, NSA-në dhe FBI-në.
Takimet me përfaqësues të politikës amerikane vijnë në kuadër të vizitës së Sadikut në Teksas, ndërsa deputeti ka ritheksuar rëndësinë e marrëdhënieve dhe miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.