
Arrestohet në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, 52-vjeçari shqiptar Valentin Ftoni, i dënuar dy herë me nga 25 vite burgim për tri vrasje të kryera në qarkun e Shkodrës.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare që prej vitit 2001.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, arrestimi u bë i mundur pas një pune të gjatë hetimore dhe bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe tri agjencive federale amerikane: DSS/OCIU, Shërbimit të Marshallëve të SHBA-së (USMS) dhe Agjencisë së Emigracionit dhe Doganave (ICE).
Nga hetimet dyshohet se, pas largimit nga Shqipëria, Ftoni ka përdorur dokumente të dyshuara të falsifikuara dhe disa identitete të rreme për të hyrë dhe qëndruar në territorin amerikan.