
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka ngritur dy çështje që, sipas tij, duhet të trajtohen në seancat e ardhshme parlamentare.
Pas përfundimit të mbledhjes, Tahiri ka shprehur shqetësimin për cilësinë dhe drejtimin strategjik të ligjeve që po trajtohen, duke vënë në pikëpyetje nëse miratimi i 60 ligjeve brenda një periudhe të shkurtër garanton rezultate cilësore.
“Qysh ka mundësi që 60 ligje në këtë kohë, të prodhojnë një kualitet, një drejtim strategjik. Ne mendojmë se ky është një problem thelbësor që do ta adresojmë në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Tahiri.
Çështja e dytë që ai ka ngritur lidhet me funksionalizimin e Kuvendit dhe përgjegjësitë e tij në raport me strategjinë për mbrojtjen e çlirimtarëve që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.
Tahiri ka theksuar se të dyja këto tema do të jenë pjesë e diskutimeve të ardhshme parlamentare, duke nënvizuar rëndësinë e trajtimit të tyre në Kuvendin e Kosovës.