
Marco Bezzecchi ka triumfuar në Çmimin e Madh të Indonezisë në MotoGP, duke mposhtur Raul Fernandezin në pistën e Mandalikës, ndërsa Jorge Martin ka përfituar nga vendi i tretë për t’u rikthyer në krye të renditjes së përgjithshme të kampionatit.
Piloti italian i Aprilias siguroi fitoren e parë pas më shumë se katër muajsh, në një garë ku u desh të luftonte gjatë me Fernandezin, i cili ishte nisur nga pozita e parë. Bezzecchi e parakaloi spanjollin në xhiron e 19-të, nga 27 sa ishin gjithsej, dhe më pas arriti të krijonte epërsi deri në vijën e finishit.
Fernandez përfundoi në vendin e dytë, me 4.260 sekonda prapa fituesit, ndërsa Martin u rendit i treti, duke plotësuar një podium tërësisht të Aprilias. Madje, kjo markë shkroi histori në Indonezi, pasi pilotët e saj zunë katër pozitat e para, me Ai Oguran që përfundoi i katërti.
Një nga detajet më të veçanta të garës ishte gjendja fizike e Fernandezit. Spanjolli garoi me gishtin tregues të thyer, lëndim që e kishte pësuar pas përplasjes me Bezzecchin në garën sprint të së shtunës. Pavarësisht kësaj, ai arriti të luftonte për fitoren deri në pjesën e fundit të garës.
Ndërkohë, Marc Marquez, i cili e kishte marrë kryesimin e kampionatit pas fitores në garën sprint, këtë herë u desh të kënaqej me vendin e gjashtë. Piloti i Ducatit nuk arriti ta mbante ritmin e dyshes së Aprilias dhe humbi kreun e renditjes së përgjithshme.
Pas garës në Mandalika, Martin kryeson kampionatin me 355 pikë, vetëm dy më shumë se Marquez, që ka 353. Bezzecchi mbetet i treti me 309 pikë dhe vazhdon të jetë në garë për titullin, edhe pse diferenca me kreun është 46 pikë.
Aprilia në Kosovë përfaqësohet nga Ventoro Motors by Auto Mita.
Me pesë gara të mbetura deri në përfundim të sezonit, lufta për titullin e kampionit të MotoGP-së mbetet e hapur. Gara e radhës do të zhvillohet në Australi, në pistën e Phillip Island, pas dy javësh.