
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Kaja Kallas njoftoi se blloku ka miratuar gati 1 600 sanksione të reja kundër Rusisë.
Kallas deklaroi në një postim në rrjetet sociale se masat e reja ekonomike synojnë industrinë ushtarake të Rusisë.
Kryediplomatja e unionit bëri me dije se më shumë se gjysma lidhen me zinxhirin e prodhimit të raketave balistike.
Sanksionet synojnë 1569 individë dhe subjekte në kompleksin ushtarako-industrial të Rusisë. Lista e miratuar përfshin 826 kompani ruse dhe 743 individë që shërbejnë si drejtues ekzekutivë të këtyre kompanive.
Personat dhe subjektet e përfshira në listën e re të masave ekonomike u nënshtrohen ngrirjes së aseteve, ndërsa ndalohet vënia në dispozicion e fondeve ose burimeve ekonomike për ta ose në dobi të tyre.
Për personat fizikë të përfshirë në listë zbatohet ndalimi i udhëtimit drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Marrëveshja mes vendeve europiane për sanksionet ishte arritur javën e kaluar, por u ratifikua vetëm në fillim të kësaj jave.
Kancelari gjerman Merz theksoi se Bashkimi Europian duhet t’I ashpërsojë më tej sanksionet, pasi Rusia ka treguar se “nuk e ka seriozisht çështjen e bisedimeve të paqes”.