Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Reagon Rama: Zyrtarë të LVV-së po kërcënojnë, a janë institucionet e drejtësisë të pavarura?

Gazeta10
12 October 2026 - 17:51

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas postimeve të disa zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje që kanë paralajmëruar ndjekjen e disave që i quajnë “peshq të mëdhenj”, duke iu referuar udhëheqësit të kryeqytetit.

Rama ka kërkuar reagimin e Prokurorisë duke pyetur se “Kush e administron drejtësinë në këtë vend? Organet e pavarura të drejtësisë apo zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje?”

“PROKURORI, A PO I DËGJONI KËRCËNIMET QË BËHEN NË EMRIN TUAJ?!! Kush e administron drejtësinë në këtë vend? Organet e pavarura të drejtësisë apo zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje?”, shkroi Rama në krye të një postimi në Facebook.

Ai tha se kërcënimet ndaj tij “vetëm sa janë intensifikuar kohëve të fundit” dhe akuzoi deputetë dhe asambleistë të LVV-së që po “kërcënojnë në emër të shtetit”.

“Të dashur qytetarë, Kërcënimet ndaj meje nuk janë asgjë e re. Ato vetëm sa janë intensifikuar kohëve të fundit nga deputetë dhe asambleistë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët marrin guximin të kërcënojnë në emër të shtetit dhe institucioneve të tij. Prandaj, i ftoj publikisht organet e drejtësisë që të merren seriozisht me këto kërcënime dhe t’u japin përgjigje qytetarëve të Kosovës: Ku ndodhet drejtësia në këtë vend? Në institucionet e pavarura të Republikës apo në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje? Kush vendos për fatin, lirinë dhe sigurinë e secilit? Ligji dhe Kushtetuta apo vullneti politik i deputetëve të Vetevendosjes? A janë institucionet e drejtësisë të pavarura në ushtrimin e mandatit të tyre, apo ato vihen në lëvizje sipas urdhrave dhe interesave partiake të VV-së?”, shkroi Rama.

Kryetari i kryeqytetit tha se institucionet për përdoren si instrument për të ushtruar presion ndaj tij.

“Ju rikujtoj se askush nuk ka të drejtë të kërcënojë në emër të shtetit. Askush nuk ka të drejtë t’i përdorë institucionet si instrument presioni ndaj kundërshtarëve politikë, gazetarëve apo kujtdo që mendon ndryshe! Mandatin tim nuk ma ka dhënë asnjë militant dhe asnjë zyrë pushteti. Ma kanë dhënë qytetarët e Prishtinës. Dhe para tyre jap llogari për përgjegjësinë që kam marrë”, shkroi ai.

Rama tha se s’do të zmbapset “përballë asnjë presioni politik”.

“Unë nuk kam hyrë në jetën publike për t’iu nënshtruar vullnetit të askujt. Kam marrë përgjegjësi për t’i shërbyer Prishtinës dhe qytetarëve të saj. Këtë përgjegjësi do ta ushtroj me vendosmëri, pa u zmbrapsur përballë asnjë presioni politik. Prandaj, mos e ngatërroni qetësinë me dobësi. As përmbajtjen me frikë. Ta keni të qartë, nuk më HESHTINI dhe nuk më NDALNI! Liria ime nuk fillon e nuk përfundojnë në zyrat tuaja! Dhe mbajeni mend, Prishtina nuk qeveriset me kërcënime. Prishtina qeveriset me votën dhe besimin e qytetarëve të saj!”, shkroi ai.

 

 

 

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.