Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Prania e Radoiçiqit në tubimin e Vuçiqit, BE ia ripërsërit kërkesat Serbisë për Banjskën

Gazeta10
13 October 2026 - 17:12

Bashkimi Evropian ka kritikuar Serbinë për mosndërmarrjen e hapave të nevojshëm për arrestimin dhe ndjekjen penale të Millan Radoiçiqit dhe personave të tjerë që ndodhen në Serbi e që janë akuzuar për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.

Zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand, tha për REL-in se BE-ja mbetet e shqetësuar edhe nga raportimet për pjesëmarrjen e Radoiçiqit në një tubim parazgjedhor të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), e cila udhëhiqet nga ish-presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanalit të vendosur për ndihmë të ndërsjellë juridike”, tha ai, duke shtuar se kjo çështje është zvarritur për një kohë të gjatë dhe se Serbia duhet ta trajtojë atë pa vonesa të mëtejshme.

Deklarata e BE-së vjen pasi Radoiçiq u shfaq më 9 tetor në një tubim të SNS-së në Kragujevc, në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare në Serbi, të caktuara për 25 tetor.

Në pamjet e publikuara nga televizioni serb N1, ai shihet pranë Danilo Vuçiqit, djalit të ish-presidentit serb, para sallës ku u mbajt tubimi.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar SNS-së për koment lidhur me praninë e Radoiçiqit, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë përgjigje.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd i ka thënë më herët REL-it se hetimet ndaj Radoiçiqit për sulmin në Banjskë janë ende në vazhdim.

Megjithatë, në Serbi ende nuk është ngritur aktakuzë për sulmin e 24 shtatorit 2023, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, në veri të vendit. Gjatë sulmit u vra polici Afrim Bunjaku, ndërsa në përleshjet që pasuan u vranë edhe tre sulmues.

Radoiçiq e pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit, pas të cilit dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.

Kosova e ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit, ndërsa Beogradi zyrtar i ka mohuar këto akuza.

Nga 45 personat e akuzuar nga drejtësia e Kosovës për sulmin në Banjskë, tre janë dënuar. Të akuzuarit e tjerë, përfshirë Radoiçiqin, vazhdojnë të jenë në arrati dhe besohet se ndodhen në Serbi.

Kosova ka lëshuar disa fletarrestime ndaj Radoiçiqit, i cili është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe për lidhje me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Në gusht të këtij viti, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 20 personave, përfshirë Radoiçiqin, nën dyshimet për krime lufte kundër popullsisë civile në rajonin e Gjakovës gjatë viteve 1998-1999.

Qeveria e Kosovës e ka cilësuar shfaqjen e tij në tubimin e SNS-së si dëshmi të lidhjeve të tij me pushtetin në Serbi dhe ka kërkuar që ai të përballet me drejtësinë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar dialogun në nivel të lartë politik me Serbinë që nga sulmi në Banjskë, duke kërkuar që Radoiçiqi të ndiqet penalisht dhe t’i dorëzohet drejtësisë së Kosovës./REL/

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.