
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka postuar në platformën e tij Truth Social një sërë videosh të çuditshme, përfshirë një të prodhuar me inteligjencë artificiale, në të cilën ai shihet duke ndjekur dhe u përleshur me një tigër, para se të përfundojë duke përqafuar kafshën e egër.
Këto postime u shfaqën të martën në mbrëmje, vetëm pak orë pasi Trump kishte ndarë pamje reale nga një sulm vdekjeprurës i një tigri ndaj një burri që kishte hyrë në kafazin e kafshës në një park natyror në veri të Anglisë.
Në videon e krijuar me inteligjencë artificiale, Trump duket fillimisht duke frikësuar dhe ndjekur tigrin, më pas përleshet me të. Në fund, ata të dy përqafohen, ndërsa në sfond dëgjohet kënga e njohur “The Lion Sleeps Tonight”.
President Trump posts an AI video of himself playing with a tiger after posting footage of a man being fatally attacked by a tiger in the UK. pic.twitter.com/UJpYMLqceb
— Akayla Gardner (@gardnerakayla) October 14, 2026
Menjëherë pas kësaj, presidenti amerikan publikoi një video tjetër, ku paraqitet si një luan që u bën ballë hienave. Zëri narrativ e cilëson Trump si “mbretin e xhunglës”, teksa pamjet kombinojnë fjalimet e tij me imazhe të figurave demokrate, ndër të cilat ish-presidenti Barack Obama, ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom.
Në këtë video, kundërshtarët politikë të Trump krahasohen me “çakej dhe hiena” që e sulmojnë dhe përqeshin. Në fund, narratori thotë se “herë pas here, luani duhet t’u tregojë çakejve se kush është në të vërtetë”.
Përpara videove të gjeneruara me inteligjencë artificiale, Trump kishte shpërndarë pamjet e sulmit që ndodhi më 10 tetor në Parkun e Jetës së Egër të Yorkshire, pranë Doncaster, në Angli.
Një burrë kishte hyrë brenda hapësirës së rrethuar të tigrit dhe ishte sulmuar për vdekje nga kafsha.
Presidenti amerikan e shoqëroi videon me mesazhin: “Mos u ngatërroni kurrë me natyrën! Presidenti DJT”. Më pas, ai publikoi edhe një kolazh me pamje të sulmeve të kafshëve të egra ndaj njerëzve, disa prej të cilave dyshohet se ishin krijuar me inteligjencë artificiale.
Sipas Forbes, postimet u bënë ndërsa Trump ndodhej në Alaska, ku kishte marrë pjesë në një tubim politik në Wasilla, rreth 65 kilometra në veri të Anchorage.
Publikimi i pamjeve shkaktoi reagime, pasi ato lidhen me një ngjarje reale me pasoja fatale.
Policia e South Yorkshire u kishte kërkuar qytetarëve të mos shpërndanin videot e sulmit që qarkullonin në internet, duke bërë thirrje për respekt ndaj viktimës dhe familjes së tij.