
Policia e Kosovës ka konfiskuar armë zjarri, mijëra fishekë dhe granata dore në dy raste të ndara në territorin e Zubin Potokut.
Sipas raportit policor, rastet janë regjistruar më 13 tetor në orën 08:25, në fshatin Paruc dhe në fshatin Ranqiqe.
Në rastin e parë, në një shtëpi të pabanuar në Paruc, njësiti policor ka gjetur dhe konfiskuar një tytë të pushkës së gjuetisë, 141 fishekë të armës së gjatë, 21 fishekë të armës së gjatë me krehër, dy fishekë të pushkës së gjuetisë dhe 48 gëzhoja të pushkës së gjuetisë.
Po ashtu, janë gjetur pajisje për mbushjen e fishekëve të gjuetisë, katër kuti me barot, sfera, kapsolla dhe tamponë për fishekë, një maskë gazi ushtarake, një bajonetë ushtarake dhe katër granata dore.
Ndërkaq, në rastin e dytë, në një shtëpi të pabanuar në fshatin Ranqiqe, policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri, 2.056 fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe katër granata dore.
Në të dyja rastet, lidhur me gjetjen dhe konfiskimin e armëve dhe municionit, është njoftuar prokurori./Gazeta10