
Papa Leo kaloi një natë të qetë në një spital të Romës pas një ndërhyrjeje kirurgjikale që konfirmoi dyshimet se ai vuante nga kanceri i mushkërive, njoftoi sot Vatikani.
Papës iu diagnostikua kanceri dje, pasi një nyjë (nodul) iu hoq me operacion nga mushkëria e djathtë.
Kreu i Kishës Katolike Romake u shtrua në spital dje dhe iu nënshtrua operacionit po atë pasdite.
Operacioni u planifikua pasi një kontroll rutine shëndetësor i Papës 71-vjeçar zbuloi një nyjë në njërën prej mushkërive të tij.
Ndërhyrja zgjati rreth 90 minuta dhe përfundoi pa komplikacione, njoftuan mbrëmë kirurgu kryesor i Papës, Stefano Margaritora, dhe mjeku i tij personal, Luigi Carbone.
Në një deklaratë të përbashkët, mjekët bënë të ditur se i gjithë lobi i poshtëm i mushkërisë së djathtë u hoq për të siguruar heqjen e plotë të indit kanceroz.
Vatikani nuk ka dhënë detaje të mëtejshme, të cilat janë thelbësore për përcaktimin e prognozës.
Më herët ishte njoftuar se Papa pritet të qëndrojë në spital për rreth një javë dhe se të gjitha angazhimet e tij publike janë anuluar deri më 20 tetor.