
Japonia ka nisur një mision ambicioz hapësinor drejt Phobosit, një prej dy hënave të Marsit, me synimin për të mbledhur mostra pluhuri dhe për t’i sjellë ato në Tokë për analiza laboratorike.
Misioni Mars Moons Exploration (MMX), i udhëhequr nga Agjencia Japoneze e Eksplorimit Hapësinor (JAXA), pritet të mbërrijë në Phobos në gusht të vitit 2027. Nëse gjithçka shkon sipas planit, ky do të jetë misioni i parë që sjell në Tokë mostra nga një prej hënave të Marsit, duke hapur një kapitull të ri në eksplorimin e hapësirës, shkruan BBC, transmeton Klankosova
Një nga objektivat kryesorë të misionit është të zbardhë misterin e origjinës së Phobosit dhe Deimosit, dy satelitët natyrorë të Marsit, formimi i të cilëve mbetet ende i paqartë për shkencëtarët.
Profesoresha Sara Russell nga Muzeu i Historisë Natyrore në Londër, e cila është përgjegjëse për analizimin e mostrave në kuadër të misionit MMX, e cilësoi projektin si një nismë ambicioze dhe emocionuese.
Ajo theksoi se deri më tani nuk ka pasur një mision të suksesshëm që të ketë arritur në Phobos dhe të ketë sjellë mostra prej tij në Tokë.
Phobos dhe Deimos janë dy hënat e vetme të Marsit. Ato janë ndër satelitët më të vegjël dhe më të pazakontë në Sistemin Diellor, me forma të çrregullta që u ngjajnë patateve.
Phobos ka një diametër prej rreth 20 kilometrash, ndërsa Deimos është edhe më i vogël, me një diametër prej afërsisht 10 kilometrash.
Gjatë udhëtimit drejt Marsit, anija kozmike MMX do të studiojë fillimisht Deimosin dhe më pas do ta përqendrojë misionin e saj te Phobosi, ku synon të mbledhë material për analiza shkencore.
Përveç mbledhjes së mostrave, misioni parashikon edhe vendosjen e një roveri të vogël në sipërfaqen e Phobosit, për të eksploruar terrenin dhe për të mbledhur të dhëna.
Megjithatë, kjo paraqet një sfidë të konsiderueshme teknologjike. Graviteti i Phobosit është shumë i dobët, ndërsa afërsia me Marsin, i cili ka një tërheqje gravitacionale shumë më të madhe, e bën më të ndërlikuar uljen dhe lëvizjen e një roveri në sipërfaqe.
Sipas Sara Russell, deri më tani asnjë rover nuk ka arritur të ulet në një hënë kaq të vogël.
Shkencëtarët shpresojnë se analizimi i mostrave të sjella nga Phobosi do të ndihmojë në kuptimin e historisë së Marsit dhe të formimit të hënave të tij. Rezultatet mund të ofrojnë të dhëna të rëndësishme për mënyrën se si janë krijuar këta trupa qiellorë dhe për evolucionin e Sistemit Diellor.