Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Alarm për bomba në shkollat italiane, evakuohen mbi 50 institucione pas emaileve anonime në gjuhën arabe

Gazeta10
20 October 2026 - 7:46

Jo vetëm Shqipëria, por edhe Italia u kërcënua një ditë më parë nga alarmet për bomba në gjuhën arabe në shkolla.

Mbi 50 institucione arsimore në disa zona të Italisë u evakuuar të hënën, më 19 tetor, pas kërcënimeve për bombë të mbërritura përmes emaileve anonime.

Alarmet u raportuan në provincat e Veronës dhe Padovës, si dhe në Arezzo, Lucca e Chieti, duke vënë në lëvizje forcat e policisë dhe ekipet e specializuara për kontrollin e ambienteve.

Në provincën e Veronës u evakuuan 27 institucione arsimore, nga kopshtet deri te shkollat e ciklit të ulët. Sipas raportimeve, kërcënimi mbërriti përmes një emaili që dyshohet se ishte shkruar në gjuhën arabe.

Nxënësit u sistemuan fillimisht në palestra dhe më pas u morën nga familjarët.

Evakuime pati edhe në provincën e Padovës, në shkollën Rodari, institutin Neëton në Camposampiero dhe shkollën Vivaldi në Montegrotto Terme. Kontrollet e policisë dhe karabinierëve rezultuan negative.

Në liceun Vasari, në Arezzo, rreth 600 nxënës dhe punonjës u evakuuan pas një sinjalizimi për bombë. Ndërkohë, në provincën e Luccës, alarmi preku 11 institucione arsimore në zonën e Oltreserchio.

Në Chieti u evakuuan tetë shkolla, ku mësojnë rreth 1 mijë nxënës, pas një emaili anonim drejtuar drejtuesve të institucionit.

Bashkia sqaroi se nuk ishte urdhëruar evakuimi i të gjitha shkollave të qytetit dhe se nuk kishte të dhëna për një rrezik real

Kontrollet vijuan në institucionet e prekura, ndërsa deri në përfundim të verifikimeve nuk ishte raportuar gjetja e mjeteve shpërthyese.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.