
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka renditur katër problemet kryesore me të cilat, sipas tij, po përballen qytetarët e Kosovës, e që sipas tij janë, varfëria, çmimet e larta, gjendja në shëndetësi dhe problemet në arsim.
Përmes një postimi, Tahiri ka thënë se këto çështje i ka adresuar edhe në Kuvend, duke theksuar se ato po ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
Sipas Tahirit, shumë familje në Kosovë po përballen me vështirësi ekonomike, pasi pagat dhe pensionet nuk po mjaftojnë për mbulimin e shpenzimeve mujore dhe nevojave bazë. Ai ka theksuar se për shumë qytetarë është bërë gjithnjë e më e vështirë përballimi i shpenzimeve nga një muaj në tjetrin.
Një tjetër shqetësim, sipas tij, është rritja e çmimeve të produkteve bazë, energjisë dhe shërbimeve, të cilat po rëndojnë buxhetet familjare. Tahiri ka kërkuar politika konkrete për mbrojtjen e fuqisë blerëse dhe lehtësimin e kostos së jetesës.
Sa i përket shëndetësisë, ai ka vlerësuar se mungesa e shërbimeve të nevojshme, pritjet e gjata dhe shpenzimet për trajtim po i vendosin familjet përballë vështirësive financiare. Sipas tij, qytetarët duhet të kenë qasje të barabartë në shërbime shëndetësore dhe trajtim dinjitoz, pa u përballur me barrë të papërballueshme ekonomike.
Tahiri ka ngritur shqetësime edhe për gjendjen në arsim, duke theksuar nevojën për shkolla më të mira, mësimdhënie cilësore dhe kushte më të përshtatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit. Ai ka thënë se duhet të krijohen edhe më shumë mundësi për të rinjtë, në mënyrë që ata ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë.
Ai ka bërë të ditur se Aleanca do të vazhdojë të kërkojë zgjidhje për këto katër çështje, duke nënvizuar se interesi i qytetarëve duhet të jetë mbi çdo interes tjetër politik.