
Analistja Emanuela Dyrmishi, në një lidhje direkte në emisionin “Gazeta” në Kanal10, ku foli për protestën në Shqipëri, ngriti edhe shqetësime lidhur me bashkëpunimin mes policisë shqiptare dhe asaj gjermane.
Dyrmishi theksoi se, krahas arrestimit të një 8-vjeçari, për të cilin u diskutua gjatë protestës, ekziston edhe një çështje tjetër që, sipas saj, nuk është trajtuar sa duhet në opinionin publik.
“Dua t’ju kujtoj diçka tjetër, për të cilën nuk u fol. Një muaj para arrestimit të Vloran Hysenit, policia gjermane ka ndërprerë marrëdhëniet me policinë shqiptare, duke mos e konsideruar të besueshme, pikërisht në pikën e mbajtjes së perimetrit të sigurisë dhe komunikimit mes policive”, u shpreh Dyrmishi.
Ajo tha gjithashtu se ka pasur rrjedhje të vazhdueshme të të dhënave dhe deklaroi se, sipas vlerësimit të saj, qeveria aktuale shqiptare ka humbur mbështetjen jo vetëm në nivel të Bashkimit Evropian, por edhe të NATO-s.