Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Betohen 515 rekrutë të FSK-së, gjenerata më e madhe deri më tani

Gazeta10
23 October 2026 - 17:40

Në një ceremoni solemne, 515 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhanë betimin, duke u zotuar për besnikëri ndaj Republikës së Kosovës, respektim të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, si dhe përkushtim në përmbushjen e misionit të tyre në shërbim të atdheut.

Në këtë ceremoni morën pjesë kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, kryeministri Albin Kurti, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, familjarë të rekrutëve, përfaqësues të institucioneve vendore, si dhe zyrtarë dhe përfaqësues ndërkombëtarë.

“Kjo gjeneratë, me 515 rekrutë, më e madhja deri më tani, shënon një hap të rëndësishëm në zhvillimin dhe fuqizimin e FSK-së, duke kontribuar në avancimin e kapaciteteve njerëzore, rritjen e gatishmërisë operacionale dhe përgatitjen e kuadrove të reja profesionale e të disiplinuara për përmbushjen e misionit dhe përballjen me sfidat e sigurisë” thuhet në njoftimin e FSK-së.

Sipas njoftimit, betimi shënon fillimin e një rrugëtimi të ri ushtarak për këta të rinj e të reja, të cilët, përmes trajnimit, disiplinës dhe përkushtimit, do të vazhdojnë të ndërtojnë aftësitë e tyre profesionale dhe të përgatiten për shërbim ndaj vendit. Ky moment përfaqëson jo vetëm një përgjegjësi individuale për secilin rekrut, por edhe një zotim të përbashkët për mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të investojë në zhvillimin e burimeve njerëzore, ngritjen e profesionalizmit dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse, në përputhje me objektivat e saj strategjike dhe standardet e NATO-s.

Suksese rekrutëve të rinj në rrugëtimin e tyre ushtarak!” thuhet në njoftim.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.