Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Vlora Çitaku: Ligji që mbron UÇK-në do të kalojë, PDK nuk është tërhequr

Gazeta10
23 October 2026 - 16:54

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se Ligji për Gjykatën Speciale do të rishqyrtohet në Kuvend brenda katër javësh, duke u zotuar se do të punohet për hyrjen e tij në fuqi brenda afateve të parashikuara.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka deklaruar se kërkesa e PDK-së për rikthimin e ligjit në Kuvend nuk nënkupton tërheqje nga nisma dhe as ndryshim të qëndrimit të partisë.

“Ligji që mbron UÇK-në do të kalojë!”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka bërë të ditur se katër javët shtesë janë dhënë me qëllim të adresimit të pikëpyetjeve të ngritura, forcimit të bazës juridike të ligjit dhe sigurimit të zbatimit të tij në praktikë.

“Qëndrimi ynë mbetet ai i ditës kur e propozuam dhe kur e votuam”, ka shkruar ajo.

Çitaku ka theksuar se PDK-ja është e bashkuar dhe e vendosur për jetësimin e ligjit, ndërsa u është drejtuar edhe qytetarëve që protestuan dhe mbështetësve të kësaj nisme.

“Zotimi që kemi marrë para jush qëndron. Dhe këtë do ta çojmë deri në fund!”, ka përfunduar Çitaku në postimin e saj.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.