Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Haziri ngre alarmin për sigurinë e grave, Haxhiu: Për shkak të mosveprimeve tuaja përballemi me këto situata

Gazeta10
26 October 2026 - 20:07

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka kritikuar qeverinë për përgjegjësinë që ka në garantimin e sigurisë juridike dhe fizike të qytetarëve, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Haziri ngriti pyetjen nëse institucionet kanë dështuar në përmbushjen e detyrimeve të tyre për garantimin e sigurisë, duke kërkuar që të shqyrtohen rastet e tjera të vrasjeve të grave dhe të merren masa për parandalimin e tyre.

Ai tha se qeveria nuk mund të distancohet nga përgjegjësia për sigurinë e qytetarëve dhe kërkoi që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ta shfrytëzojë këtë moment për të ndërmarrë veprime.

“Po e lidhi me mandatin e qeverisë që detyrën e parë prej të gjitha detyrave të tjera e ka sigurinë juridike të qytetarëve dhe sigurinë fizike të tyre. A ka dështuar në dy detyrat qeveria, ajo që po themi që ka ra shteti në rastin e të ndjerës? Nëse flasim për një vit, ku kanë mbërritur rastet tjera me u zbardhë apo cila është masa për tu parandaluar. Nuk mundesh me u distancua prej detyrës së sigurisë juridike dhe fizike që shteti e ka ndaj qytetarëve të vet. Kryeministri Kurti duhet me shfrytëzua këtë mundësi”, tha Haziri.

Në vijim të fjalës së tij, deputeti i LDK-së foli edhe për rolin e gruas në familjen shqiptare, duke përdorur një gjuhë që u bë pjesë e debatit në Kuvend.

“Ne nuk jemi familje që vrasim gra. Shqiptarët e kanë të rregulluar familjen ku gruaja ka rol, ne jemi të lindur prej nënave, se ende ligji nuk lejon që ne të lindim nga burrat, tendencën që e ka qeveria me e prua edhe ata”, deklaroi Haziri.

Ndaj deklaratave të tij reagoi kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila akuzoi përfaqësuesit e ish-qeverive se nuk kishin ndërmarrë veprime të mjaftueshme për luftimin e dhunës ndaj grave.

Haxhiu tha se, sipas saj, veprimet konkrete në këtë drejtim kishin nisur në vitin 2021, kur ajo ishte emëruar ministre e Drejtësisë. Ajo kritikoi përdorimin e foltores së Kuvendit për akuza politike dhe kërkoi që deputetët të kenë kujdes në deklaratat e tyre.

“Keni qeverisur herë vet e herë bashkë, kurrë asnjë veprim nuk keni ndërmarrë dhe kurrë asnjë kryeministër që ka folur për dhunën ndaj grave, për femicidin, asnjëherë. Për herë të parë kanë filluar të merren veprime në 2021. Kur jam bërë ministre e drejtësisë, kam pyetur cilat janë veprimet që janë ndërmarrë, asnjë. Nuk është në rregull që sot ta keqpërdorni këtë foltore të Kuvendit me akuza të pabaza. Kryeministrat e kaluar dhe ministrat kanë menduar se nuk është punë e tyre të merren me dhunën ndaj grave, por është. E për shkak të mosveprimeve të juaja, ne sot përballemi me situata të tilla. Keni kujdes çka flisni”, tha Haxhiu.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.