
Anita Muçaj-Haradinaj, bashkëshortja e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke shprehur dhimbje për vrasjen e saj dhe duke kërkuar që kryerësi i këtij krimi të marrë dënimin e merituar.
Ajo ka theksuar se nuk është hera e parë që persona të ndryshëm e keqpërdorin mbiemrin Haradinaj për të frikësuar dhe kërcënuar të tjerët, duke e përdorur atë si mburojë për veprimet e tyre.
Mucaj Haradinaj ka shtuar se mbiemrin Haradinaj e mbajnë edhe ajo, fëmijët e saj dhe qindra anëtarë të tjerë të familjes, ndaj ka kërkuar që të mos krijohet paqartësi lidhur me personin të cilit i referohet avokatja.
“Ky është një mbiemër që përfaqëson sakrificën dhe dashurinë për atdhe, respektin ndaj shtetit dhe ligjit, e jo strehë horrash e kriminelësh”, ka shkruar ajo në reagimin e saj.
Në fund, ajo ka shprehur shpresën që personi përgjegjës për vrasjen e Arlinda Zekajt të marrë dënimin e merituar.