
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke kërkuar veprime konkrete për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe hetim të plotë të rrethanave që i paraprinë rastit.
Gërvalla, e cila është edhe koordinatore kombëtare për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, ka thënë se kjo ngjarje e ka tronditur gjithë Kosovën dhe ka rikthyer në vëmendje përgjegjësinë e institucioneve për mbrojtjen e jetës.
“Vrasja e Arlindës e ka tronditur thellë Kosovën dhe disi ta vërteton shprehjen që veç një burrë i lig e ngre dorën dhe vret ose rrah një grua”, ka deklaruar Gërvalla nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.
Ajo u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe të gjithë atyre që janë prekur nga kjo humbje tragjike, duke theksuar se shprehjet e ngushëllimit nuk janë të mjaftueshme pa veprime konkrete.
“Ngushëllimet, sado të sinqerta, nuk mjaftojnë. Përgjegjësia jonë është të veprojmë, aq më tepër që vrasësi ende është në arrati”, ka thënë ministrja.
Gërvalla ka ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e masave për parandalimin e dhunës dhe mbrojtjen e viktimave, duke theksuar se rastet kur një grua humb jetën pasi ka kërkuar ndihmë dhe mbrojtje kërkojnë shqyrtim të plotë të rrethanave paraprake.
Sipas saj, kjo nuk nënkupton paragjykimin e përgjegjësisë së askujt, por kërkon fakte, hetim dhe veprime konkrete.
“Krimi brutal i mbrëmshëm, vrasja e një tjetër gruaje na rikthen doemos te pyetja më thelbësore: A po bëjmë gjithçka që dhuna të parandalohet dhe jeta të mbrohet? Kur një grua humb jetën pasi ka kërkuar ndihmë dhe mbrojtje, ne kemi detyrimin të shqyrtojmë jo vetëm krimin që u krye, por edhe të gjitha rrethanat që i paraprin atij”.