
Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka shprehur pikëllim të thellë për vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila u ishte drejtuar institucioneve të Kosovës për mbrojtje, nga frika se jeta e saj ishte në rrezik për shkak të dhunës në familje.
Në reagimin e saj, ambasada ka theksuar se asnjë grua që kërkon ndihmë nga institucionet nuk duhet të mbetet pa mbrojtjen e nevojshme.
“Askush që ndërmerr hapin e guximshëm për të kërkuar ndihmë nuk duhet të mbetet pa mbrojtje”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Ambasada britanike ka nënvizuar se gratë që përballen me rrezikun e dhunës në familje duhet të marrin mbështetjen e duhur për të qenë të sigurta, duke e cilësuar mbrojtjen e tyre si çështje themelore të sigurisë.
Sipas ambasadës, rasti i Arlinda Zekajt rikthen në vëmendje nevojën për veprime konkrete institucionale, në mënyrë që gratë që përjetojnë dhunë të jenë në qendër të reagimit dhe mbrojtjes.
Në reagim theksohet gjithashtu rëndësia e koordinimit efektiv ndërmjet institucioneve, llogaridhënies për veprimet dhe mosveprimet, si dhe garantimit të qasjes në drejtësi.
Në fund, Ambasada e Britanisë së Madhe ka shprehur ngushëllime për familjen dhe të afërmit e Arlinda Zekajt, duke shpresuar që drejtësia të vihet në vend.