
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Alama Lama, ka deklaruar se suspendimi i zyrtarëve policorë lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt nuk është i mjaftueshëm, duke kërkuar hetim të detajuar për dështimet institucionale.
E ftuar në emisionin “Politiko”, Lama ka thënë se suspendimet janë vetëm masa paraprake dhe se duhet të ketë hetime serioze për të zbardhur përgjegjësitë lidhur me rastin.
“Suspendimi nuk mjafton, por janë masa paraprake për t’u hetuar në mënyrë të detajuar. Pastaj, nëse do të ketë hetime serioze për dështimin e pafalshëm që ka ndodhur, për jetën e një gruaje e cila ka vdekur në duart e tyre, mendoj se dorëheqjet për arsye morale është dashur të jepeshin nga ministrat”, ka deklaruar Lama.
Ajo ka theksuar se përgjegjësia morale e drejtuesve institucionalë nuk duhet të kushtëzohet nga përfundimi i hetimeve, nëse tashmë janë konstatuar dështime në funksionimin e institucioneve.
“S’ka nevojë për hetim e të tjera. Dorëheqja jepet kur konstatohet që në herën e parë se kanë dështuar institucionet”, është shprehur Lama në “Politiko”.