Kosova Po Pret

24
DITË
14
ORË
37
MINUTA
05
SEKONDA
Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

KPK ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm pas dorëheqjes së prokurorëve serb

Gazeta10
08 November 2022 - 15:08

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm, në të cilin kanë marrë pjesë edhe kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, Xhevdet Bislimi, ai i prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Ismet Ujkani dhe partnerët ndërkombëtarë, transmeton Gazeta10.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se ky takim ka filluar me diskutimet lidhur me situatën e krijuar në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, pas ofrimit të dorëheqjes nga prokurorët dhe stafi administrativ i komunitetit serb.

“Me këtë rast, anëtarët e Këshillit kanë kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe Sekretariati i Këshillit Prokurorial që ta vlerësojnë gjendjen e krijuar dhe si njësi kompetente në kuadër të sistemit prokurorial të marrin masat e nevojshme dhe të paraqesin në Këshill propozimet konkrete për mirëfunksionimin e punës në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës”.

“Në fund të diskutimit për gjendjen e krijuar në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, anëtarët e Këshillit, thanë se mbetën të përkushtuar për koordinimin e veprimeve me institucionet e tjera, me qëllim të mbarëvajtjes së punëve pa ndërprerje në këtë prokurori, por edhe të funksionimit të një ambienti të sigurt juridik në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Nga organet kompetente të Kosovës u kërkua të ofrojnë siguri për punonjësit dhe objektin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicën Veriore”, thuhet në njoftim.

Gjatë këtij takimi, po ashtu, Këshilli ka konfirmuar listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe ka themeluar Komisionin për Rishqyrtim për pozitën e shpallur për Drejtor të Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Drejtor të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë.​/Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.